​Kurti premton stadium me 2500 ulëse prej drurit për Kamenicën

Lëvizja Vetëvendosje në ditën e tretë  të fushatës zgjedhore ka mbajtur tubim në Kamenicë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë tubimit zgjedhor në Kamenicë foli për projektet të ndryshme e sportive që  pritet të realizohen në këtë komunë.

Ai tha se gjatë vizitës në stadium ka takuar futbollistë, të  cilëve sipas tij u ka dhënë lajmin për ndërtimin e një  stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse.

“Kur i takova lojtarët sot aty në stadium, ua dhashë lajmin e mirë se do ta ndërtojmë stadiumin me 2 mijë e 500 ulëse prej druri. Do të jetë stadiumi i parë i këtij lloji”, deklaroi Kurti.

Gjatë këtij tubimi, fjalën  e mori  edhe kryetari  i kësaj komune Kadri Rrahimaj, ai përmendi punët të cilat kanë realizuar gjatë qeverisjes së tij, si dhe foli për projektet që sipas tij, do të transformojnë infrastrukturën dhe zhvillimin e qytetit në vitet e ardhshme.Ai premtoi realizimin e projektit kufitar, në kuadër të të cilit do të asfaltohen 50 kilometra rrugë, duke lehtësuar  qarkullimin dhe lidhjen e zonave të ndryshme të komunës.

“Asfaltimi i projektit kufitar, ku do të asfaltohen 50 kilometra rrugë. Qyteti do ta gjejë mbështetjen te projektet zhvillimore, përfshirë edhe stadiumin e ri. Ky do të jetë stadiumi i parë unik që do të ndërtohet nga druri, ashtu siç e duan dardanët: i gjelbër dhe i pastër. Aktualisht, janë në proces edhe dy stadiume të tjera”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 7 qershor.


Go to TOP