Miratohet Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal në Kaçanik
Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur mbledhjen e pestë për vitin 2026, të kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Selajdin Troni. Në takim morën pjesë edhe kryetari i Komunës, Sabedin Vishi, nënkryetari Xhelal Dema, si dhe përfaqësues të ekzekutivit komunal.
Sipas njoftimit nga Komuna e Kaçanikut, gjatë mbledhjes, anëtarët e kuvendit diskutuan dhe miratuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik, arsimin, planifikimin urban dhe administrimin komunal.
Ndër pikat e miratuara ishte edhe Propozim Vendimi për aprovimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal për Komunën e Kaçanikut për periudhën 2026-2030, si dhe emërimi i komisionit përzgjedhës për drejtor dhe zëvendësdrejtor të institucioneve arsimore.
Asambleistët po ashtu miratuan bartjen e mjeteve vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake në buxhetin e komunës për vitin 2026, si dhe vendimet për shpalljen me interes publik të parcelave kadastrale në ZK Bob dhe ZK Kaçanik.
Në mbledhje u trajtua edhe Draft Rregullorja për transportin rrugor në territorin e komunës së Kaçanikut, si dhe u miratua formimi i komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit dhe riemërtimit të rrugëve, numërimit të adresave dhe emërtimit të objekteve komunale.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan pas diskutimeve nga anëtarët e kuvendit.
