Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë një i dyshuar për veprën penale `Dhunim`

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar, është ekstraduar sot nga Zvicra në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

Sipas njoftimit, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, lidhur me veprën penale “Dhunim”. Autoritetet kanë bërë të ditur se ai i ishte shmangur drejtësisë.

Policia njoftoi se ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive policore të rajonit kompetent për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka theksuar se përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Go to TOP