Murseli premton qasje më të mirë për personat me aftësi të kufizuara: 50 mijë euro për trotuaret në Gjilan

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së me numër 68, Gentrit Murseli, ka falënderuar kryetarin e shoqatës HANDIKOS në Gjilan, Fatmir Shurdhani, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në një iniciativë në dobi të personave me aftësi të kufizuara.

Murseli bëri të ditur se me një mbështetje financiare prej 50 mijë eurosh është mundësuar rregullimi i pjerrinave në trotuaret e Gjilanit, duke synuar lehtësimin e qasjes për këtë kategori të shoqërisë.

Ai theksoi se kjo është një hap konkret drejt krijimit të një qyteti më të qasshëm dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët, ndërsa u zotua se projekte të tilla do të shtrihen edhe në nivel nacional.

Sipas tij, modeli i mbështetjes për infrastrukturën gjithëpërfshirëse do të vazhdojë në të gjitha komunat e Kosovës, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara. /Kosova.info/


Go to TOP