Hull City rikthehet në Premier League pas nëntë vitesh

Hull City është rikthyer në elitën e futbollit anglez pas nëntë vitesh mungesë, pasi ka mposhtur 1:0 Middlesbrough në finalen e “play-off” të Championship, të zhvilluar në “Wembley”.

Ndeshja ka qenë shumë e kujdesshme nga të dy skuadrat, me raste të pakta shënimi dhe shumë tension, pasi në lojë ka qenë promovimi në Premier League.

Në pjesën e parë, rastet kanë qenë të kufizuara. Aidan Morris e ka provuar nga distanca për Middlesbrough, por pa sukses, ndërsa David Strelec ka humbur një rast me kokë.

Në anën tjetër, Hull i është afruar golit në fund të pjesës së parë, kur goditja me kokë e Oliver McBurnie ka përfunduar në traversë.

Edhe pjesa e dytë ka sjellë shumë luftë në mesfushë dhe pak raste të pastra. Me kalimin e minutave, tensioni është rritur, ndërsa mbrojtjet e të dy skuadrave kanë vazhduar të dominojnë.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Hull City e ka gjetur golin e fitores në minutën e nëntëdhjetë e pestë. Oliver McBurnie është gjendur në vendin e duhur në zonë dhe e ka dërguar topin në rrjetë, duke shpërthyer festën e tifozëve të Hull.

Skuadra e Hull City ka menaxhuar minutat e fundit të kohës shtesë dhe e ka siguruar fitoren dramatike që e rikthen në Premier League për herë të parë pas nëntë vitesh.

Megjithëse e ka përfunduar sezonin me shtatë pikë më pak se Middlesbrough, Hull City ka arritur objektivin madhor, ndërsa Middlesbrough do të mbetet edhe një sezon në Championship.


Go to TOP