Abdixhiku nga Podujeva: Politika bëhet me qytetarët, jo larg tyre

Lumir Abdixhiku ka vazhduar aktivitetet e parafushatës me nismën “Hajde Folim” duke zhvilluar takimin e radhës në Podujeva, në zemër të rajonit të Llapit.

Ai bëri të ditur se dita nisi në sheshin e qytetit, ku u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me qytetarët, nga të cilët mori pyetje, sugjerime dhe shqetësime të drejtpërdrejta për përditshmërinë e tyre.

Sipas Abdixhikut, këto takime po i japin një perspektivë të qartë mbi nevojat reale të qytetarëve dhe pritjet që ata kanë për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se politika duhet të ndërtohet në bashkëpunim me qytetarët duke qenë pranë tyre dhe duke dëgjuar zërin e tyre.

“Në këtë parafushatë, takimet ballëhapur me njerëzit e Kosovës janë perspektiva më e vlefshme elektorale – ajo e një politike me qytetarë dhe për qytetarë,” u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se politika e vërtetë nuk mund të zhvillohet larg qytetarëve, por vetëm duke qenë mes tyre dhe në komunikim të vazhdueshëm me ta. /Kosova.info/


Go to TOP