Shqiptarët në pritje të BE-së

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

Serbia është natyrshëm jashtë Bashkimit Evropian, për vetë faktin se shihet si zonë e interesit rus, gjë që e pranojnë edhe vetë serbët. Deri këtu gjithçka është e qartë. Por pyetja që më lind është: pse Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten jashtë BE-së, kur historikisht janë parë nga Evropa si një digë përballë ekspansionit ruse-turk? Kjo është një dilemë që ngërthen shumë pikëpyetje, por le të ndalemi tek një fakt i vetëm, shumë domethënës: vlerat.

Nëse juristët e përkufizojnë Kushtetutën si aktin më të lartë të një shteti, unë e shoh atë si kornizën e vlerave themelore që përfaqësuesit e popullit kanë vendosur të respektohen. Shqipëria dhe Kosova shquhen për bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare, por Kushtetutat e tyre i përcaktojnë qartë si shtete laike dhe neutrale. Megjithatë, realiteti shpesh duket ndryshe. Laiciteti nuk është thjesht një çështje formale; është përcaktues për të ardhmen evropiane të dy shteteve tona. Nëse ky parim cenohet, atëherë edhe procesi i integrimit në BE vihet në pikëpyetje.

Studimet e European Stability Initiative paralajmërojnë se Shqipëria dhe Kosova mund të ndajnë fatin e Turqisë, e cila aplikoi për anëtarësim në BE që në vitin 1987, por mbetet jashtë. Turqia është shtet laik në letër, por praktikat e saj politike e kanë orientuar drejt islamizimit, duke e larguar nga vlerat evropiane. Mospranimi i saj është kompensuar me ndikim ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Shqipëri e Kosovë, ku ka marrë sektorë kyç si energjia, aeroportet dhe autoudhët. Madje, kur liderët shqiptarë i quajnë turqit “vëllezër”, kjo tregon sa të përhumbur e të dominuar jemi nga ky ndikim.

Këto gjëra nuk kalojnë pa u vënë re. Urimet fetare nga personalitete evropiane, të adresuara institucioneve tona, krijojnë perceptimin se Shqipëria dhe Kosova janë shtete islamike. Kjo bie ndesh me Kushtetutat tona dhe me realitetin e bashkëjetesës ndërfetare. Po ashtu, anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Islamike për Bashkëpunim e përforcon këtë perceptim, duke e vendosur popullin shqiptar në një kornizë që nuk i përket.

Historia e shqiptarëve, me Skënderbeun në krye, dëshmon se orientimi ynë ka qenë gjithnjë drejt Perëndimit. Çdo përpjekje për ta tjetërsojë këtë trashëgimi është një devijim nga aspiratat kombëtare. E ardhmja e shqiptarëve nuk guxon të zhvendoset në Lindje. Ajo ka qenë dhe duhet të mbetet në Perëndim.

Por këtu nuk mbaron gjithçka. Nëse Evropa vazhdon të vonojë integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës, rreziku është që hapësira e tyre politike dhe ekonomike të mbushet nga ndikime të tjera, që nuk përfaqësojnë vlerat evropiane. Turqia, Rusia apo edhe aktorë të tjerë gjeopolitikë, do të shfrytëzojnë vakumin e krijuar. Kjo nuk është thjesht një çështje e politikës së jashtme, por një sfidë ekzistenciale për orientimin e shqiptarëve.

Ndaj, Bashkimi Evropian ka detyrimin të korrigjojë gabimet e veta në raport me shqiptarët, duke zhbllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëm kështu mund të mbyllet saga shekullore e pushtimeve dhe dominimeve mbi shqiptarët, dhe vetëm kështu mund të sigurohet që e ardhmja jonë të jetë aty ku gjithmonë ka qenë: me Perëndimin.


Go to TOP