Basha në Bern: Zotohet për thellim të bashkëpunimit me Zvicrën në aviacion civil
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe i Transportit, Dimal Basha, ka zhvilluar një takim zyrtar në Bern me autoritetet zvicerane të Aviacionit Civil, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Basha bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje të rëndësishme që ndërlidhin Kosovën dhe Zvicrën, me theks të veçantë në zhvillimin dhe avancimin e sektorit të aviacionit civil.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet mirënjohëse ndaj shtetit zviceran për mbështetjen e vazhdueshme duke shprehur besimin në thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Ne besojmë dhe angazhohemi për bashkëpunim e trajtim të barabartë, sepse përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët e të dy vendeve tona”, ka shkruar Basha.
Sipas tij, lidhjet e forta mes dy shteteve reflektohen edhe në faktin se një pjesë e madhe e qytetarëve ndajnë dyshtetësinë dhe i konsiderojnë Kosovën dhe Zvicrën si vende të pandara. /Kosova.info/
