100-euroshi i Qeverisë, Oda Amerikane: Në vend të pagesave të njëhershme, fokusi të zhvendoset drejt investimeve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin pas vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për disa kategori.


OEAK thotë se derisa mbështetja e kategorive të cenueshme dhe ruajtja
e fuqisë blerëse të qytetarëve përbëjnë objektiva të rëndësishme, masat
e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk
adresojnë faktorët e nevojshëm strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm
ekonomik.


Siç thuhet më tutje në reagim të kësaj ode, derisa mbështetja e
kategorive të cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse të qytetarëve
përbëjnë objektiva të rëndësishme, masat e përkohshme financiare ofrojnë
vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë faktorët e nevojshëm
strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.


“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm se
masat të cilat fokusohen kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër
rrezikojnë të prodhojnë ndikim të kufizuar afatgjatë ekonomik,
veçanërisht në një ekonomi si ajo e Kosovës, ku një pjesë e
konsiderueshme e rritjes së konsumit përkthehet në rritje të importeve, e
jo në shtim të prodhimit vendor dhe të investimeve. Masat e tilla po
ashtu kufizojnë disponueshmërinë e fondeve publike për iniciativa dhe
investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e
më afatgjata”.


“Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të
zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që
forcojnë ekosistemin e sektorit privat. Investimet strategjike në
infrastrukturën e transportit dhe të energjisë, infrastrukturë
digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte që u
mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin
produktivitetin”.


Kjo Odë thekson më tej se fuqizimi i sektorit privat ka ndikim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm në shoqëri.


“Një sektor privat më konkurrues dhe në rritje gjeneron
mundësi të reja punësimi, kontribuon në rritjen graduale të pagave dhe
krijon stimuj për përmirësimin e kushteve të punës dhe investimin në
zhvillimin profesional të punonjësve. Rritja ekonomike e nxitur nga
investimet produktive ofron përfitime më të forta dhe më afatgjata sesa
masat e përkohshme të konsumit.


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se prosperiteti i
qëndrueshëm arrihet përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike,
përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe krijojnë një mjedis ku bizneset mund
të zhvillohen dhe qytetarët të përfitojnë nga punësimi i qëndrueshëm dhe
standarde më të mira jetese”.


Ky reagim erdhi pas vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë për
ndarjen e shumave nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin
jopublik  dhe studentët. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme ka rritur edhe
shtesat për lehonat

Go to TOP