Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka njoftuar se është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar.

Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se ekstradimi është realizuar dje.

“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete gjermane, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë. Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane”, është thënë në njoftim, duke treguar se i dyshuari pas ekstradimit iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, është thënë në njoftim.

Go to TOP