Shërbime falas shëndetësore dhe aktivitete rekreative çdo të shtunë në Parkun e Gërmisë

Në Parku i Gërmisë, qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë shërbime falas shëndetësore çdo të shtunë duke filluar nga ora 09:00.

Një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit, i përbërë nga mjek dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë.

Kjo iniciativë është pjesë e planit trevjeçar të komunës për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik. Përfshirja e Parkut të Gërmisë në këtë program synon të përmirësojë mirëqenien fizike dhe mendore të qytetarëve.

Sipas autoriteteve komunale, kjo qasje mbështetet në praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë modelin e National Health Service, ku aktiviteti fizik konsiderohet pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.

Aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në uljen e rrezikut nga diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa njëkohësisht ka ndikim pozitiv edhe në shëndetin mendor duke reduktuar stresin, ankthin, depresionin dhe izolimin social.

Përveç shërbimeve shëndetësore, çdo të shtunë në park organizohen edhe ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash. Pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat.

Kjo nismë synon të forcojë mirëqenien emocionale dhe ndjenjën e përkatësisë në komunitet duke nxitur një stil jete më aktiv dhe më të shëndetshëm për qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP