Abdixhiku nga ASK Foods: Ekonomia e fortë ndërtohet në partneritet me bizneset
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot njërin nga bizneset më të suksesshme përpunuese në vend, ASK Foods, nga ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes shtetit dhe sektorit privat për zhvillimin ekonomik.
Abdixhiku ka kritikuar qasjet që, sipas tij, e shohin biznesin me dyshim duke theksuar se një ekonomi e fortë ndërtohet vetëm përmes partneritetit me ndërmarrësit dhe prodhuesit vendorë.
“Shteti nuk zhvillohet duke i parë bizneset me dyshim; zhvillohet duke u bërë partner i tyre”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar lartë rolin e prodhuesve vendorë duke theksuar se çdo produkt i prodhuar në Kosovë dhe çdo vend pune i krijuar përbën “patriotizëm ekonomik” më të madh se retorika boshe.
Sipas Abdixhikut, Kosova ka nevojë urgjente për më shumë prodhim, përpunim dhe eksport, si dhe për një shtet që lehtëson rrugën e bizneseve, në vend se ta vështirësojë atë.
Vizita në ASK Foods, sipas tij, dëshmon se suksesi është i mundur në Kosovë kur ka punë, vizion dhe përkushtim. /Kosova.info/
