Hoxhaj para biznesmenëve shqiptarë: Demokracia dhe konkurrenca janë baza e zhvillimit ekonomik
sh-ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në Konferencën Ekonomike “Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare” në Prishtinë, ku ka folur për rëndësinë e demokracisë, ekonomisë së lirë të tregut dhe sundimit të ligjit si baza të zhvillimit ekonomik.
Në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të konferencës, Hoxhaj ka theksuar se zhvillimi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me lirinë ekonomike, konkurrencën dhe mbrojtjen e pronës private.
“Aty ku ka demokraci, aty ku ka ekonomi të lirë të tregut, aty ku ka sundim të ligjit, aty ku ka konkurrencë në mesin e bizneseve, aty ku mbrohet prona private, aty ka zhvillim të mirëfilltë ekonomik”, deklaroi Hoxhaj.
Ai ka vlerësuar gjithashtu rritjen dhe fuqizimin e biznesit shqiptar në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, duke thënë se roli i tij po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
“Jam shumë krenar që kudo që shkoj në botë, qoftë në Evropë, qoftë në Amerikë, qoftë edhe në pjesë tjera të botës, por edhe në Ballkan, çdo ditë e më shumë po e shoh biznesin shqiptar si faktorin më të rëndësishëm ekonomik”, u shpreh Hoxhaj.
Konferenca “Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare” mblodhi në Prishtinë përfaqësues të bizneseve, sipërmarrës dhe figura publike shqiptare nga vende të ndryshme të botës. /Kosova.info/
