Forumi 2026: Kosova me potencial të bëhet lidere rajonale në ekonominë qarkore

Transformimi i sektorit të ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm ishte fokusi kryesor i Forumit 2026, i organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile i Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC).

Eksperti gjerman i ekonomisë qarkore pranë KGBC-së, Herald Friedl, vlerësoi se Kosova ka potencial të bëhet lidere në rajon në fushën e ekonomisë qarkore, falë popullsisë së re dhe perspektivës evropiane.

Ai tha se udhërrëfyesi për këtë sektor tashmë ekziston, por theksoi nevojën urgjente për kalim nga idetë në plane konkrete të realizimit.

“Kushdo që ka fuqi të sigurohet që ne të mund të ushtrojmë presion në Kosovë, në mënyrë që t’i bëjmë njerëzit të lëvizin nga ideja te plani i realizimit, nga udhërrëfyesi te plani i veprimit, le të punojmë të gjithë së bashku për këtë”, deklaroi Friedl.

Sipas CEO-s dhe presidentit të KGBC-së, Fahrush Azemi, forumi bashkoi institucione, biznese, akademinë dhe profesionistë të ndryshëm për një qëllim të përbashkët – ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën.

“Për dekada me radhë sektori i ndërtimit ka funksionuar përmes modelit linear: merr burimet, ndërto, konsumo, rrëno dhe krijo mbetje. Por sot bota po ndryshon. E ardhmja i përket ekonomisë cirkulare”, tha Azemi.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Civile, Florim Grajçevci, theksoi se sfidat globale si ndryshimet klimatike, përdorimi intensiv i burimeve natyrore dhe menaxhimi i mbetjeve kërkojnë qasje të re në sektorin e ndërtimit.

Ndërkaq, përfaqësuesja e organizatës zvicerane “Helvetas”, Nastasija Stojanovski, vlerësoi interesimin e madh për forumin duke thënë se kjo dëshmon rritjen e vëmendjes ndaj ekonomisë qarkulluese dhe zhvillimit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të forumit u zhvilluan dy panele diskutimi, ku u trajtuan tranzicioni drejt ekonomisë qarkore, përdorimi i materialeve të qëndrueshme dhe kalimi nga ndërtimi tradicional në atë modern dhe efikas në Kosovë.

Valbona Dushi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tha se marrëveshjet evropiane dhe mekanizmat si CBAM po e shtyjnë Kosovën drejt standardeve më të larta mjedisore dhe ekonomisë qarkore.

Ndërsa Servet Spahiu nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bëri të ditur se është finalizuar procesi për certifikimin e ndërtesave të efiçiencës së energjisë.

“Në fund të qershorit pritet të nisë certifikimi i ndërtesave të efiçiencës së energjisë, ku çdo ndërtesë dhe çdo leje ndërtimore do t’i nënshtrohen këtij procesi”, tha Spahiu.

Në përmbyllje të forumit, pjesëmarrësit diskutuan mbi rekomandimet dhe hapat konkretë për zhvillimin e sektorit të ndërtimit të qëndrueshëm në Kosovë. U theksua rëndësia e ngritjes së kapaciteteve të studentëve, zhvillimit të kurrikulave universitare për ekonominë qarkore, investimeve në riciklimin e mbetjeve inerte dhe fuqizimit të rolit të grave në këtë sektor. /Kosova.info/


Go to TOP