Le Mans rikthehet në elitën e futbollit francez pas pesëmbëdhjetë vitesh

Le Mans FC është rikthyer në Ligue 1 për herë të parë që nga sezoni 2009/10.

Skuadra franceze e ka siguruar promovimin pasi Liga Profesionale e Futbollit në Francë e ka konfirmuar fitoren 2:0 ndaj SC Bastia në ndeshjen e ndërprerë të javës së fundit.

Takimi ishte ndërprerë në kohën shtesë pasi tifozët vendas kishin hedhur mjete piroteknike në fushë, kur Le Mans po avanconte me dy gola diferencë.

Ky sukses ka një rëndësi të madhe për klubin, i cili në vitin 2013 kishte rënë deri në kategorinë e gjashtë për shkak të problemeve financiare.

Le Mans e mbylli sezonin në vendin e dytë, duke siguruar promovimin direkt në elitë, ndërsa Bastia ka rënë në kategorinë e tretë franceze.

Klubi francez është në pronësi të fondit brazilian OutField, ndërsa aksionarë të tjerë janë portieri i Real Madrid, Thibaut Courtois, tenisti Novak Djokovic dhe ish-piloti i Formula 1, Felipe Massa.


Go to TOP