Hoxhaj publikon pamje nga Korisha: Kujtesa për martirët nuk shuhet

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e masakrës së Korishës duke publikuar një video nga homazhet dhe një mesazh emocional në rrjetet sociale.

Hoxhaj e cilësoi masakrën e Korishës si një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku më 13 maj 1999 u vranë 87 civilë shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe.

“Në Korishë u vranë civilë të pafajshëm nga komuna e Prizrenit dhe Suharekës. Gra, fëmijë e pleq duke u larguar nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës, u grumbulluan dhe u përdorën si mburojë njerëzore nga forcat serbe”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai theksoi se dhimbja e asaj dite vazhdon të mbetet e gjallë për familjet e viktimave dhe për gjithë Kosovën.

“Dhimbja e asaj dite mbetet ende plagë e hapur për familjet, për Prizrenin, për Suharekën dhe për gjithë Kosovën”, u shpreh Hoxhaj.

Në fund të mesazhit të tij, ai nderoi martirët e Korishës, duke thënë se ata “u bënë simbol i vuajtjes dhe sakrificës së popullit tonë për liri”.

“Përgjithmonë do të kujtohen me respekt dhe përulësi martirët e Korishës. Lavdi!”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP