Libri “Confessioni” i poetit shqiptar, Vehbi Miftari, në panairin më të madh të librit në Itali
Libri “Confessioni”, i poetit dhe studiuesit shqiptar, Vehbi Miftarit, do të promovohet në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropë – në “Sallonin e Librit” në Torino, panairin më të madh të librit në Itali.
Libri “Confessioni”, i botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese “Morrone Editore”, sjell reflektime poetike mbi identitetin, kujtesën, dashurinë dhe përjetimet njerëzore.
Sipas prof. Michelangelo La Luna nga Universiteti i Rhode Island në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, recensent i librit, “poezia e Vehbi Miftarit zë vend të rëndësishëm brenda një yllësie poetike, në të cilën kujtesa, rrëfimi, përkatësia dhe vizioni përmblidhen në forma shprehëse të një shkëlqimi të rrallë”.

Promovimi i librit të autorit Miftari dëshmon edhe një herë se letërsia shqipe po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vëmendje në arenën ndërkombëtare kulturore, duke ndërtuar ura komunikimi mes kulturës shqiptare dhe asaj evropiane.
Pjesëmarrja e Vehbi Miftarit në këtë panair konsiderohet një tjetër mundësi për promovimin e autorëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të librit dhe të kulturës.
Salloni i Librit në Torino është ngjarja më e madhe e librit në Itali. Në të marrin pjesë botues, autorë, kritikë letrarë dhe dashamirë të librit nga shumë vende të botës. /Kosova.info/
