Kosova prezantohet në Budvë në lansimin e raportit të OECD për politikat e
Sot në Budvë të Malit të Zi, u mbajt takimi rajonal i nivelit të lartë me rastin e lansimit të raportit “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2026” të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të politikave ekonomike nga vendet e rajonit, ku Republika e Kosovës u përfaqësua nga zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, si dhe nga Nol Buzhala, koordinator nacional dhe ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të KIESA.
Gjatë diskutimeve në panel, Mehmeti theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë po mbështeten përmes masave konkrete qeveritare, duke përfshirë skemat e granteve dhe mbështetjen financiare për avancim teknologjik, digjitalizim, pajisje me efikasitet energjetik, procese më të pastra prodhimi, inovacion, rritje të eksporteve si dhe harmonizim me standardet e Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu nënvizoi se përmes Ligjit për Investime të Qëndrueshme, Kosova ka krijuar një kornizë më të qartë institucionale për promovimin dhe mbështetjen e investimeve që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim të gjelbër të ekonomisë.
Pjesëmarrja e institucioneve kosovare në këtë forum vlerësohet si dëshmi e angazhimit për zhvillimin e politikave moderne, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në mbështetje të sektorit privat dhe ndërmarrësisë në vend. /Kosova.info/
