Mourinho: Largimi nga Interi ishte vendimi më i vështirë
Jose Mourinho ka rikthyer kujtimet nga periudha e tij te Inter Milan, duke theksuar se largimi nga zikaltërit për t’iu bashkuar Real Madrid mbetet vendimi më i vështirë i karrierës së tij.
Në një intervistë për “Sportweek”, tekniku portugez foli hapur për triumfin historik me Interin, duke e cilësuar atë skuadër si të pazëvendësueshme.
“Vendimi më i vështirë i karrierës sime ishte të largohesha nga Interi. Por do ta bëja përsëri, sepse sapo kisha fituar Ligën e Kampionëve pasi fituam edhe kampionatin dhe Kupën e Italisë, pastaj shkova te Real Madridi”, deklaroi Mourinho.
Trajneri portugez bëri krahasime mes Interit të tripletës dhe skuadrës aktuale të zikaltërve, duke vlerësuar disa prej yjeve të sotëm, por duke nënvizuar se askush nuk do të kishte vend në ekipin e tij historik.
“Më pëlqejnë shumë lojtarët e këtij Interi, por asnjëri nuk do të kishte luajtur në ekipin tim të tripletës. Lautaro? E dua shumë, por preferoj Militon. Diego Milito ishte një nga lojtarët që më dha më shumë në karrierë”, tha Mourinho.
Ai pati fjalë të mëdha edhe për ish-mbrojtësin rumun Cristian Chivu, duke përshëndetur rrugëtimin e tij si trajner.
“Chivu nuk u bë trajner brenda natës. Ai kaloi një proces të gjatë zhvillimi, duke punuar me ekipet e moshave të Interit dhe më pas te Parma. Ka bërë një punë shumë të mirë”, vlerësoi portugezi.
Mourinho ndaloi edhe te figura e Zinedine Zidane, të cilin e cilësoi si simbol të elegancës në futboll.
“Kur mendoj për elegancën në futboll, më vjen menjëherë ndërmend Zidane”, shtoi ai.
Në fund, “Special One” kujtoi me nostalgji edhe aventurën e tij te AS Roma.
“Roma është qyteti më i bukur në botë. ‘San Siro’ ishte shtëpia ime dhe më dha shumë emocione, por fitorja që më bën më krenar është gjithmonë ajo që vjen më pas”, përfundoi Mourinho.
