Haziri: LDK-ja po bashkohet me popullin për ta rikthyer fytyrën evropiane të Kosovës
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së është bashkuar në Ditën e Evropës për t’i dhënë Kosovës, siç tha ai, “mundësi për qeverisje evropiane”.
Përmes një reagimi publik, Haziri tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është “pa kthim” duke theksuar se bashkimi i LDK-së me qytetarët do t’ia rikthejë Republikës fytyrën evropiane.
Ai e cilësoi Evropën e Shumanit si simbol të bashkimit dhe të vlerave më të mira demokratike, ndërsa përmendi edhe zgjedhjet e 7 qershorit si një moment të rëndësishëm politik për vendin.
Sipas Hazirit, ekziston një mundësi e madhe që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidentja Vjosa Osmani, të udhëheqin listën zgjedhore të LDK-së me 110 kandidatë, që sipas tij përfaqësojnë besimin e rugovistëve kudo.
“Ka ardhur koha ta duam dhe ta nderojmë familjen e Republikën, në emër të Zotit dhe të sakrificës shekullore për qeverisje dhe shtet evropian”, ka shkruar Haziri.
Në fund, ai ka bërë thirrje për bashkim të qytetarëve “nga Dita e Evropës drejt 7 qershorit – Ditës së Kosovës”. /Kosova.info/
