Rrustemi: Rikthimi i Osmanit në LDK s’është parimor, por kalkulim personal
Ish-deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kritikuar ashpër afrimin politik mes Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku duke thënë se rikthimi i Osmanit në Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka të bëjë me parime politike, por me interesa personale dhe kalkulime për mbijetesë në skenën politike.
Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi deklaroi se lëvizjet e fundit politike të disa figurave të ish-koalicionit LVV-Guxo nuk reflektojnë ndershmëri politike apo vlera të qëndrueshme.
Sipas tij, deputetë si Haxhi Avdyli dhe Jeta Statovci kanë qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të kryeministrit Albin Kurti dhe projektit qeverisës të nisur në vitin 2021, prandaj largimi i tyre nga bashkëpunimi me LVV-në ngre shumë pikëpyetje.
“Nuk ka asgjë parimore në këto lëvizje. Janë krejtësisht raporte personale dhe kalkulime personale. Nuk ka ndershmëri politike e as parimësi politike”, deklaroi Rrustemi.
Ai shtoi se raporti politik mes Osmanit dhe Abdixhikut nuk mund të krahasohet me periudhën kur Osmani ishte larguar nga LDK-ja për shkak të kundërshtimit ndaj qeverisjes së atëhershme.
Sipas Rrustemit, sot nuk ekziston një platformë politike apo kauzë e qartë që justifikon këtë afrim.
“Ky raport Abdixhiku–Osmani aspak nuk është i sinqertë. Është krejtësisht kalkulim i një nevoje individuale për të mbetur në një mënyrë ose tjetër në skenën politike”, theksoi ai.
Rrustemi akuzoi gjithashtu Abdixhikun se ka qenë një nga politikanët që më së shumti ka dëshiruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja duke pretenduar se lideri i LDK-së nuk ka qenë i sinqertë në diskutimet për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, Abdixhiku do të duhej ta mbështeste publikisht Osmanin për presidente para datës 5 mars, nëse qëndrimi i tij do të ishte real dhe jo elektoral.
“Nuk ka individ në skenën tonë politike më shumë sesa zoti Abdixhiku që i ka dashur këto zgjedhje”, u shpreh Rrustemi.
Në fund, ai deklaroi se opozita po i përdor zgjedhjet si mekanizëm për ta larguar politikisht Kurtin nga pushteti, pavarësisht se LVV-ja vazhdon të dalë forca e parë politike në vend.
“Po mbajmë zgjedhje për dy individë, për zotin Abdixhiku dhe zonjën Osmani”, përfundoi ai. /Kosova.info/
