Fetah Rudi tërhiqet nga kandidatura për deputet: Do ta mbështes fuqishëm fitoren e LDK-së
Veprimtari i njohur i Fetah Rudi ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një reagimi publik, Rudi ka thënë se vendimi erdhi pas konsultimeve me familjen dhe njerëzit më të afërt duke e cilësuar atë si jo të lehtë, pasi LDK-në e konsideron rrugëtimin e tij politik dhe kombëtar.
Ai theksoi se ka mbetur besnik i vlerave rugoviane dhe vizionit për një Kosovë demokratike, të lirë dhe perëndimore, ndërsa kujtoi edhe sakrificën personale pas plagosjes së tij para 26 vitesh.
“Edhe sot, si person në karrocë, nuk jam ndalur asnjëherë së vepruari dhe së kontribuuar për vendin tim, për LDK-në dhe për qytetarët që më kanë dhënë besim e respekt ndër vite”, ka deklaruar Rudi.
Ai ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për korrektësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme duke bërë të ditur se, pavarësisht dëshirës së Abdixhikut që ai të ishte pjesë e listës, ka vendosur të mos kandidojë për arsye familjare dhe personale.
Rudi ka theksuar se vendimi i tij nuk ndryshon përkushtimin ndaj LDK-së dhe se do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm partinë në zgjedhjet e ardhshme.
“Besoj se Kosova ka nevojë për vizionin, seriozitetin dhe përgjegjësinë shtetërore që përfaqëson LDK-ja”, thuhet në deklaratën e tij. /Kosova.info/
