Fadil Geci caktohet koordinator i LDK-së në Skënderaj, synohet forcimi dhe bashkimi i së djathtës

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë ka caktuar Fadil Gecin si koordinator të Degës së LDK-së në Skënderaj.

Ky vendim vjen pas, siç u theksua, përpjekjeve të vazhdueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për bashkimin e së djathtës në Republikën e Kosovës dhe fuqizimin e strukturave të partisë në nivel lokal.

Në njoftimin e tij, Fadil Geci e cilësoi këtë detyrë si përgjegjësi të rëndësishme për forcimin e degës së LDK-së në Skënderaj duke theksuar nevojën për bashkim, bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët të të gjithë faktorëve politikë të djathtë në vend.

“Ky është një obligim dhe përgjegjësi për të punuar me përkushtim në forcimin e Degës së LDK-së në Skënderaj duke kërkuar bashkim, bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët të të gjithë djathtistëve në Republikën e Kosovës,” u shpreh Geci.

Ai falënderoi për besimin e dhënë dhe mbështetjen duke përfunduar me mesazhin: “Na priftë e mbara!”. /Kosova.info/


Go to TOP