Tahiri rikthehet në krye të LDK-së në Vushtrri: Synon fitoren më 7 qershor me Vjosa Osmanin

Ish kryetari i degës së Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij në krye të degës duke synuar mobilizimin për zgjedhjet nacionale të 7 qershorit, në bashkëpunim me Presidenten Vjosa Osmani.

Përmes një deklarate publike, Tahiri theksoi se vendimi i tij vjen në respekt të plotë ndaj strukturave të degës dhe vullnetit të anëtarësisë. Ai sqaroi se dorëheqja e mëhershme nuk ishte shmangie nga përgjegjësia, por një moment reflektimi politik.

“Sot, vendimi për të vazhduar është përgjigje ndaj një kërkese të qartë politike: unitet, mobilizim dhe rezultat”, ka deklaruar Tahiri.

Ai shtoi se bashkimi i forcave të djathta dhe patriotike është i domosdoshëm për të sjellë ndryshimin e kërkuar duke theksuar se edhe Vushtrri do të jetë pjesë e këtij procesi.

Në mesazhin e tij, Tahiri vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit dhe respektit institucional duke theksuar se interesi i përgjithshëm duhet të jetë mbi çdo interes personal apo grupor.

“Koha e ndarjeve mori fund. Koha e fitores ka ardhur”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP