Rahoveci e fiton ndeshjen e fortë me Besa Famgasin
Rahoveci e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Në gjysmëfinalen e parë, të dielën në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci fitoi 32:30 ndaj Besa Famgasit.
Ashtu si pritej, ndeshja ishte e fortë dhe e hapur deri në fund.
Në pjesën e parë “vreshtarët” u shkëputën deri në pesë gola, 11:6. Në fund të pjesës së parë në epërsi ishte edhe Besa Famgas, 16:15. Dhe 30-minutëshi i parë përfundoi me rezultat 17:16.
Në pjesën e dytë Besa u shkëput edhe në dy gola, 21:19.
Vetëm pas minutës së 50-të, Rahoveci ia doli të shkëputet në dy gola, 30:28, e më pas edhe në 31:28. Në fund dallimi ishte dy gola, 32:30.
Lulzim Shabani i shënoi tetë gola për kampionin në fuqi, Rahovecin. Shtatë i realizoi Guilherme Fernandes e gjashtë Jon Muqolli.
U dallua edhe Arti Luzha me pritje.
Deniz Terziqi i shënoi shtatë gola për Besa Famgasin. Gjashtë i shënoi Mohamed Yassin e pesë Ahmed Khamis.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale zhvillohet mesjavën e ardhshme në Pejë. /Kosova.info/
