Sadiku: Kosova ka nevojë për qendër digjitale shëndetësore, jo për vonesa e kaos në sistem
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Ermal Sadiku, ka prezantuar një propozim për krijimin e një qendre moderne digjitale shëndetësore, e cila sipas tij do të ruante, analizonte dhe integronte të gjitha të dhënat mjekësore të qytetarëve.
Sadiku ngriti shqetësimin se sot shumë të dhëna shëndetësore janë të shpërndara, të humbura ose nuk komunikojnë mes vete duke vështirësuar trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve.
Ai tha se një sistem i tillë do të lidhej edhe me telefonat apo orët e mençura duke analizuar në kohë reale hapat, rrahjet e zemrës, oksigjenimin dhe gjumin e qytetarëve. Po ashtu, sipas tij, do të mund të skanonte edhe ushqimin dhe të jepte rekomandime konkrete për stilin e jetesës.
Sadiku theksoi se përfitimet do të ishin të mëdha si për qytetarët ashtu edhe për shtetin, përmes uljes së analizave të panevojshme, diagnozave të vonuara dhe kostove të trajtimeve të rënda.
Ai bëri të ditur se këtë ide e kishte propozuar përmes amendamentit të tij të dytë, por që ishte refuzuar.
“Bëhet për më pak se dy vite, nga kompanitë dhe mjekët tanë në Kosovë. Duhet vetëm vullnet. Dhe do të bëhet kur të ketë vizion, kur LDK fiton”, deklaroi Sadiku. /Kosova.info/
