Java me mot të paqëndrueshëm në Kosovë: rrezik nga ngricat dhe reshje të herëpashershme

Gjatë periudhës 27 prill – 1 maj 2026, mbi territorin e Kosovës do të mbizotërojë një mot relativisht i paqëndrueshëm, si pasojë e depërtimit të masave ajrore më të freskëta nga veriu dhe verilindja e kontinentit.

Parashikimet tregojnë për alternim të intervaleve me diell dhe vranësira konvektive, të cilat herë pas here do të sjellin reshje të dobëta shiu, ndërsa në disa zona nuk përjashtohen edhe shkarkesa elektrike. Era do të fryjë kryesisht nga veriu, me intensitet të dobët deri mesatar.

Nga aspekti agrometeorologjik, kjo periudhë konsiderohet e ndjeshme për kulturat pranverore. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 0°C në disa zona, sidomos në fund të javës duke rritur rrezikun për ngrica të vonshme dhe dëmtime në kulturat në faza të hershme zhvillimi.

Megjithatë, reshjet e herëpashershme do të ndihmojnë në përmirësimin e lagështisë së tokës duke favorizuar mbirjen dhe zhvillimin fillestar të kulturave si patatja, misri dhe perimet pranverore. Ekspertët rekomandojnë kujdes të shtuar në menaxhimin e ujitjes dhe monitorim të vazhdueshëm të kushteve në terren.

Në përgjithësi, java do të karakterizohet nga një kombinim i kushteve të favorshme dhe rreziqeve potenciale duke kërkuar vëmendje të shtuar nga fermerët. /Kosova.info/

Go to TOP