Familja Bunjaku: Ndjehemi të fyer, të gjithë do të duhej të dënoheshin me burgim të përjetshëm

Familjarët e Afrim Bunjakut, policit kosovar të vrarë gjatë sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, nuk e kanë mirëpritur dënimin e të akuzuarit Dushan Maksimoviq me vetëm 30 vjet burgim.

Motra e heroit të Kosovës, Fixhrija, ka thënë për KosovaPress, se ajo dhe tjerët në familje janë të pakënaqur me vendimin për të akuzuarin që u shpall fajtor por i cili, sipas saj, nuk mori burgim të përjetshëm.

Duke thënë se janë të dëshpëruar në rastin e gjykimit për të, thanë se do të ankohen, sa më parë të jetë e mundur, në Apel

Po ashtu, ata kërkuar të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që edhe organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiq dhe të dyshuarit tjerë, të sillën sa më parë para drejtësisë dhe të dënohen.

Arton Bunjaku – djali i xhaxhait të Afrim Bunjakut

Bunjaku: Do të ankohemi për Maksimoviq, edhe ai duhet të dënohet përjetësisht

“Ne ndjehemi të fyer dhe të dëshpruar pasi që do të ishte e drejtë që të gjithë ta merrnin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm dhe jo vetëm me 30 vite. Prandaj nga këtu bëj thirrje që sa më parë të përgaditet ankesa drejt panelit i cili e gjykoi rastin dhe kërkoj nga Republika e Kosovës dhe nga instanca ndërkombëtare që sa më parë të sjellin edhe pjesën e grupit tjetër që të paraqiten para drejtësisë. Dhe jo vetëm me 30 vite por me dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Kjo është një fyerje për popullin e Kosovës, për Republikën e Kosovës dhe të gjithë ata që janë heronj të gjallë që vazhdimisht janë në mbrojtje të atdheut dhe Republikës së Kosovës”, tha ai.

Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviq e Vladimir Toliq, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ndërsa me 30 vjet burgim u dënua Dushan Maksimoviq. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku ndërsa u plagosën tre kolegë të tij.

Ekipi i KosovaPress ka qëndruar në familjen Bunjaku, të premten, kur gjykata ka kumtuar vendimin e saj dënues për tre të akuzuarit.


Go to TOP