Osmani: Kosova në Bordin e Paqes, moment historik për subjektivitetin ndërkombëtar

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si moment historik ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Sipas saj, ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit duke e vendosur Kosovën krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera që kontribuojnë për paqen globale.

Osmani rikujtoi rolin vendimtar të SHBA-ve gjatë luftës së vitit 1999 duke theksuar se ndërhyrja ushtarake amerikane ishte vendimtare në ndaljen e makinerisë gjenocidale serbe ndaj popullit të Kosovës. Ajo shtoi se mbështetja amerikane vazhdon edhe sot duke e konsideruar këtë partneritet si jetik për të ardhmen e vendit.

Në këtë kontekst, ish presidentja shprehu mirënjohje të veçantë për SHBA-të dhe për presidentin Donald Trump, për besimin dhe ftesën që Kosova të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes.

Në fund, Osmani uroi që Zoti ta bekojë Kosovën dhe SHBA-të duke ritheksuar rëndësinë e aleancës mes dy vendeve. /Kosova.info/

Go to TOP