Verë e ‘nxehtë’ për Manchester City-n

Manchester City pritet të përballet me një verë të ‘nxehtë’, që mund të shënojë një kthesë të madhe për klubin në disa drejtime kyçe.

Në sfond vazhdojnë spekulimet se Premier League mund të japë së shpejti një vendim lidhur me shkeljet e mundshme të rregullave financiare nga klubi, çështje që mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen e “Qytetarëve”.

Një tjetër pikëpyetje e madhe lidhet me trajnerin Pep Guardiola, për të cilin po qarkullojnë zëra se mund të mbyllë ciklin e tij të suksesshëm në “Etihad” dhe t’ia lërë vendin një pasardhësi të ri.

Megjithatë, momenti më i rëndësishëm pritet të jetë largimi i kapitenit Bernardo Silva. Mesfushori portugez, tashmë 31-vjeçar, ka bërë të ditur se ky do të jetë sezoni i tij i fundit me kampionët anglezë.

Silva iu bashkua Cityt në vitin 2017 nga AS Monaco dhe gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, duke kontribuar në sukseset e shumta të klubit në arenën vendase dhe ndërkombëtare.

Largimi i tij pritet të hapë një kapitull të ri për Manchester Cityn, që këtë verë do të duhet të marrë vendime të rëndësishme për të ruajtur dominimin në futbollin anglez dhe më gjerë.


Go to TOP