OEK dhe AShAK nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim institucional
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës kanë formalizuar sot bashkëpunimin institucional përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Ky bashkëpunim synon forcimin e lidhjes ndërmjet komunitetit ekonomik dhe atij akademik, me fokus në zhvillimin e përbashkët të punimeve shkencore, projekteve studimore dhe iniciativave të tjera me interes të përgjithshëm për vendin.
Palët kanë vlerësuar se kjo marrëveshje do të kontribuojë në avancimin e kërkimit shkencor, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe nxitjen e politikave të bazuara në dije dhe ekspertizë, duke i shërbyer zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. /Kosova.info/
