Termokos mbyll sezonin ngrohës 2025/2026 pas 191 ditësh pa ndërprerje
NP “Termokos” Sh.A. ka përmbyllur sot sezonin ngrohës 2025/2026, pas 191 ditësh furnizimi të pandërprerë me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë.
Vendimi është marrë në përputhje me Rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji, si dhe duke u bazuar në parashikimet meteorologjike për ditët në vijim.
Sipas Termokos-it, ky sezon konsiderohet ndër më të gjatët dhe më të suksesshmit në historinë e ndërmarrjes. Furnizimi me ngrohje kishte nisur 8 ditë më herët se zakonisht dhe është zhvilluar pa asnjë ndërprerje gjatë gjithë periudhës.
Gjatë këtij sezoni janë prodhuar gjithsej 338.902 MWh energji termike duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për konsumatorët. Përmirësimet në shërbime dhe aplikimi i faturimit sipas konsumit kanë bërë që mbi 60 për qind e qytetarëve të kenë fatura më të ulëta.
Po ashtu, ndërmarrja njofton për një rënie të ndjeshme të ankesave, me rreth 70 për qind më pak krahasuar me sezonin paraprak.
Termokos thekson se këto rezultate janë arritur falë menaxhimit efikas dhe angazhimit të stafit, ndërsa paralajmëron vazhdimin e investimeve përmes planit veror dhe projekteve kapitale, me synim zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e numrit të konsumatorëve për sezonin e ardhshëm.
