Vizitë akademike nga Shqipëria në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë, theksohet bashkëpunimi shkencor

Në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS, Profesori Bejo Bizhga nga Universiteti Bujqësor i Tiranës ka realizuar një vizitë mobiliteti nga 6 deri më 10 prill 2026 në Departamentin e Mjekësisë Veterinare të Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë.

Gjatë qëndrimit të tij, Prof. Bizhga u prit nga Prof. Kurtesh Sherifi, me të cilin zhvilloi një sërë aktivitetesh akademike dhe shkencore.

Vizita u karakterizua nga mbajtja e ligjëratave të përbashkëta në fushat e Parazitologjisë dhe Shëndetit Publik Veterinar, ku u trajtuan tema bashkëkohore me rëndësi për sektorin veterinar dhe sigurinë ushqimore.

Po ashtu, u prezantuan rezultatet e një projekti bilateral kërkimor që fokusohet në studimin e ektoparazitëve në fermat e shpendëve, si dhe në rolin e tyre në transmetimin e patogjenëve që paraqesin rrezik për shëndetin e kafshëve dhe njerëzve.

Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve përfshiu edhe aktivitete laboratorike, me theks të veçantë në identifikimin e ektoparazitëve dhe përdorimin e metodave bashkëkohore molekulare, përfshirë analizat RT-PCR.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon. /Kosova.info/


Go to TOP