Gollaku, oazë e prodhimeve bio, fermerët përballen me mungesë tregu

Në Malësinë e Gollakut, larg zhurmës urbane, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë po shihet si një mundësi e rëndësishme për gjenerimin e të hyrave nga prodhimet ekologjike. Ky rajon ofron kushte të favorshme për prodhim bio dhe ruajtje të traditës bujqësore.

Në fshatin Krilevë të komunës së Kamenicë, fermeri Ramush Cakolli kujdeset për rreth 250 krerë dhi të kuqe dhe dele, duke ofruar prodhime natyrore të zonës. Në një mjedis të pastër dhe larg ndotjes urbane, ferma e tij përfaqëson një model të prodhimit tradicional të kombinuar me praktika ekologjike.

Gollak po vlerësohet gjithnjë e më shumë si hapësirë e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë bio, ku tradita familjare dhe puna me bagëti vazhdojnë brez pas brezi.

Fermeri Cakolli thotë se kjo punë është trashëguar nga të parët dhe se kujdesi për bagëtinë për të është si “një apotekë bujqësore shëndetësore”, duke theksuar vlerën e prodhimit natyral dhe cilësor. Megjithatë, ai thekson se mungesa e tregut mbetet një nga problemet kryesore për plasimin e produkteve.

Në fundjavë, gjatë sezonit, ai madje organizon shpërndarje të produkteve për familjet në nevojë, duke e kthyer prodhimin edhe në një akt solidariteti.

Cakolli apelon për krijimin e tregjeve të sigurta dhe më të afërta për fermerët lokalë, duke theksuar se mbështetja institucionale do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të zonës dhe do t’i jepte vlerë prodhimit vendor.

Kjo fermë në Gollak dëshmon se cilësia e prodhimeve vendore ekziston, por sfidë mbetet plasimi në treg. Sipas fermerëve lokalë, mbështetja e prodhuesve vendorë nënkupton edhe mbështetje për shëndetin, ekonominë dhe të ardhmen e qëndrueshme të vendit.


Go to TOP