Familja Çekaj falënderon Vjosa Osmani: Sakrifica nuk është harruar

Familja e heroit Sali Çekaj ka shprehur mirënjohje për vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke theksuar se kjo vizitë është një dëshmi se sakrifica për liri vazhdon të nderohet.

Në një reagim publik, familja Çekaj kujtoi se “baba ynë dha jetën për këtë vend, që ky vend të kishte President e jo sundimtar, që të kishte liri e jo vetëm premtime për liri”.

Sipas tyre, vizita e Presidentes Osmani ka një domethënie të veçantë, pasi u ka dhënë ndjesinë se kontributi dhe sakrifica e të rënëve nuk janë harruar.

“Tek Presidentja Osmani shohim vizionin dhe përkushtimin për një të ardhme ku ky kujtim nuk shuhet dhe ku amaneti i të rënëve tanë jetësohet,” thuhet më tej në reagim.

Familja thekson se ruajtja e kujtesës dhe respekti institucional ndaj dëshmorëve mbetet kërkesa e vetme dhe më e rëndësishme që ata kanë pasur gjithmonë. /Kosova.info/


Go to TOP