Rama: Ujësjellësi të mos ndërhyjë në rrugë gjatë pikut të trafikut, kërkohet koordinim dhe sanim i menjëhershëm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me ndërhyrjet e Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina në rrugët e kryeqytetit duke theksuar se çdo punim duhet të koordinohet paraprakisht me Komunën.

Ai bëri të ditur se ujësjellësi është i obliguar të njoftojë institucionet komunale për çdo intervenim që përfshin prerjen e asfaltit dhe trotuareve. Për këtë arsye, sipas tij, Komuna i është drejtuar me një shkresë zyrtare kësaj kompanie duke kërkuar që punimet të mos realizohen gjatë orareve të pikut të trafikut, përveç rasteve emergjente.

Rama ka theksuar gjithashtu se duhet të njoftohet Drejtoria e Investimeve Kapitale, në mënyrë që të bëhet menjëherë sanimi dhe asfaltimi i sipërfaqeve të dëmtuara, të cilat po paraqesin pengesë për qarkullimin dhe rrezik për sigurinë publike.

Si shembull, ai përmendi ndërhyrjen në rrugën Rruga “Ahmet Krasniqi”, ku prerja e asfaltit kishte mbetur e pasanuar duke shkaktuar vështirësi në trafik dhe rrezik për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP