Ndërron jetë veterani i UÇK-së Nexhmedin Hylaj, fjalë prekëse lamtumire nga Fadil Hadergjonaj

Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nexhmedin Hylaj duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, bashkëluftëtarët dhe miqtë e tij.

Në ceremoninë e varrimit, bashkëluftëtari i tij, komandanti i Koshares dhe deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj, mbajti një fjalë rasti prekëse duke kujtuar jetën, kontributin dhe karakterin e të ndjerit.

Hadergjonaj theksoi se Hylaj ishte një ushtar i përkushtuar në ditët më të vështira për vendin, i cili u përball pa hezitim me sfidat e luftës, gjithmonë i disiplinuar dhe i gatshëm për sakrificë në rrugën e lirisë.

Ai rikujtoi se pas luftës, Hylaj kishte marrë rrugën e mërgimit në Gjermani, ku jetoi dhe punoi me ndershmëri për të mbajtur familjen duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen dhe bashkëluftëtarët.

Sipas Hadergjonajt, Nexhmedin Hylaj do të kujtohet si një familjar i devotshëm, mik i sinqertë dhe njeri me vlera të larta humane, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët.

Ai bëri të ditur se në muajt e fundit, Hylaj ishte përballur me një sëmundje të rëndë, të cilën e kishte përballuar me dinjitet, njësoj si sfidat e jetës dhe luftës.

Në fund, në emër të bashkëluftëtarëve të Brigadës 134 Prapaqan dhe Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare, Hadergjonaj shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hylaj duke nderuar jetën dhe veprën e të ndjerit.

“Lavdi jetës dhe veprës tënde, Nexhmedin Hylaj”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP