Prestreshi kundër projektligjit për çmimet tavan: Rrezikon ekonominë e tregut dhe bie ndesh me Kushtetutën
Ish-kryeshefi i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka publikuar një analizë kundërshtuese ndaj projektligjit për çmimet tavan, duke e cilësuar atë si ndërhyrje serioze në rendin kushtetues ekonomik të Kosovës.
Sipas tij, projektligji i jep shtetit kompetenca për të kontrolluar marzhat tregtare dhe për të vendosur çmime maksimale, gjë që përkthehet në kontroll administrativ të tregut dhe bie ndesh me parimet e ekonomisë së tregut të lirë, të garantuara me Kushtetutë.
Prestreshi thekson se një ndërhyrje e tillë është e pranueshme vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me kritere të qarta, ndërsa projektligji aktual nuk përcakton asnjë prag konkret për ndërhyrje. Ai kritikon përdorimin e nocioneve të paqarta si “destabilizim i tregut” dhe “rritje e paarsyeshme e çmimeve”, pa indikatorë të matshëm si përqindja e rritjes apo periudha kohore.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është mungesa e kufizimit kohor për masat e propozuara. Projektligji nuk parasheh afat maksimal apo rishikim të detyrueshëm, duke hapur mundësi që ndërhyrjet të zgjasin për periudha të papërcaktuara dhe të shndërrohen në politika strukturore.
Ai ngrit dyshime edhe për kompetencat e gjera të bordit përgjegjës, i cili, sipas tij, jo vetëm që përcakton rregullat, por edhe i interpreton dhe i zbaton ato, pa standarde të qarta ekonomike dhe pa mekanizma të fortë kontrolli.
Po ashtu, Prestreshi vlerëson se pavarësia e këtij bordi është e diskutueshme, pasi përbërja dhe mënyra e emërimit të tij lidhen drejtpërdrejt me ekzekutivin, duke rritur rrezikun për politizim dhe vendimmarrje selektive.
Në përfundim, ai paralajmëron se projektligji, në formën aktuale, krijon pasiguri juridike, është i hapur ndaj abuzimit dhe bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Kosovës. /Kosova.info/
