Arbeloa: Mbappe erdhi për ndeshje si kjo ndaj Bayern
Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka vënë në qendër të vëmendjes Kylian Mbappe para përballjes së madhe ndaj Bayern Munich në çerekfinalen e Champions League.
Tekniku spanjoll ka theksuar se ylli francez është transferuar pikërisht për sfida të këtij niveli, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e tij në skuadër.
“Jam i lumtur që kam lojtarë të tillë në dispozicion dhe një futbollist si Mbappe, i cili erdhi te Real Madridi për ndeshje si kjo e nesërmja dhe për fazat me eliminim direkt”, ka deklaruar Arbeloa.
Pas një periudhe të vështirë për shkak të një lëndimi në gju, Mbappe pritet të rikthehet titullar në “Santiago Bernabeu”, duke formuar repartin ofensiv bashkë me Vinicius Junior.
Arbeloa ka shprehur besim të plotë se francezi do të jetë vendimtar. “Jam i sigurt se do ta shohim Kylian në formën e tij më të mirë, duke udhëhequr ekipin ashtu siç ka ditur gjithmonë”, është shprehur ai.
Ai ka folur edhe për atë se ka shumë yje në dispozicion. “Të kesh lojtarë si Mbappe, Vinicius, Valverde apo Bellingham është një fat i jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka trajner në botë që nuk do ta dëshironte këtë”, ka thënë ai.
