KOSTT: Defekt në nënstacionin e Ferizajt shkakton ndërprerje të energjisë – nisin veprimet emergjente
KOSTT ka njoftuar se si pasojë e daljes jashtë funksionit të transformatorit TR3 në nënstacionin NS Ferizaj 1, janë shkaktuar ndërprerje dhe reduktime në furnizimin me energji elektrike në zonën e Ferizajt.
Sipas njoftimit zyrtar, për të menaxhuar situatën dhe për të rikthyer stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, KOSTT ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke inicuar procedurat për zhvendosjen e transformatorit TR1 110/10 kV nga NS Skenderaj në NS Ferizaj 1. Aktualisht po realizohet vlerësimi teknik dhe përgatitja e tij për operim.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, pritet të ndërmerren hapa të mëtejmë me prioritet për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në zonën e prekur.
Në menaxhimin e situatës është i përfshirë edhe bashkëpunimi me KEDS, me qëllim të minimizimit të ndikimeve dhe rikthimit sa më të shpejtë të normalitetit në furnizim.
Autoritetet energjetike kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj situate. /Kosova.info/
