Sveçla: Projektligji i ri për shtetësinë lehtëson rikthimin për mërgatën
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Shtetësinë, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në procedurat për rifitimin, fitimin, regjistrimin dhe humbjen e shtetësisë.
Sipas tij, ky projektligj synon të lehtësojë ndjeshëm procesin për qytetarët e mërgatës që janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës. Nga nëntë dokumente të kërkuara më parë, tashmë aplikimi do të bëhet vetëm me një kërkesë të thjeshtë dhe një dëshmi që personi nuk është i dënuar në shtetin përkatës.
Po ashtu, afati i shqyrtimit të aplikimeve është reduktuar nga gjashtë muaj në vetëm 30 ditë. Për më tepër, qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë për rifitim të shtetësisë përmes një procedure të shpejtë dhe pa pagesë.
Ky projektligj konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë juridike dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe mërgatës duke synuar që asnjë qytetar të mos ndihet i shkëputur nga atdheu i tij. /Kosova.info/
