KMDLNj: Veprimet e fundit të Prokurorisë në Hagë cenojnë parimin e gjykimit të drejtë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale në Hagë, duke shprehur shqetësim për, siç thuhet, shkelje të parimeve themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, shkruan Kosova.info.
Sipas reagimit, opinioni publik në Kosovë dhe në diasporë është i alarmuar me veprimet e fundit të Prokurorisë së Specializuar, e cila, sipas KMDLNj-së, po vazhdon të dorëzojë materiale në gjykatë edhe pas afateve ligjore. Kjo, sipas tyre, përbën ndërhyrje në parimin e prezumimit të pafajësisë.
Organizata kritikon gjithashtu nisjen e vlerësimit të pasurisë për ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, pa një vendim përfundimtar nga gjykata. Sipas KMDLNj-së, ky veprim paraqet presion të drejtpërdrejtë mbi procesin gjyqësor dhe mund të ndikojë në vendimmarrje.
Në reagim përmendet edhe rasti i Sali Mustafës, ku, sipas KMDLNj-së, procedurat e vlerësimit të pasurisë janë zhvilluar vetëm pas vendimit të plotfuqishëm, duke e krahasuar këtë me trajtimin aktual të rasteve të tjera.
KMDLNj vlerëson se këto zhvillime rrezikojnë të drejtën për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pavarur, duke përmendur ndikime të mundshme politike dhe të grupeve të interesit. Po ashtu, organizata shpreh shqetësim për kushtet dhe trajtimin e të paraburgosurve në Hagë, duke theksuar mungesë të transparencës dhe monitorimit të pavarur.
Në fund, KMDLNj paralajmëron se, nëse vazhdohet me këtë qasje, vendimmarrja e gjykatës mund të perceptohet si e paracaktuar, duke dëmtuar besimin në drejtësi dhe në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut./Kosova.info/
