Objekti i shkollës ‘Ismail Qemali’, me infrastrukture të amortizuar
Pos si institucion arsimor më i stërngarkuar, objekti i shkollës “Ismail Qemali”, ka kohë që përballet me probleme infrastrukturore, nga hapësirat e brendshme e deri tek sistemi energjetik, pothuajse çdo segment i ndërtesës konsiderohet i amortizuar.
“Në takimet e mëhershme që i kemi pas, e kemi ditë që kemi me filluar në mars dhe duhet me e bë planin dhe planifikimet. Por, për shkak të zgjedhjeve dhe drejtorive në komunë të Prishtinës, pra kjo punë është zvarrit. Po saktë ku ka mbet as unë nuk kam informatë”, ka thënë Mimoza Krasniqi, drejtoresh e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Zotimet e komunës për ndërhyrje përgjatë muajve qershor-korrik të vitit të kaluar mbetëm vetëm fjalë e si pasoj nxënësit që në shtator, shënuan ngecjet e para në vijueshmëri të mësimit, si pasojë e mbushjes së bodrumit të shkollës me ujëra të zeza nga bllokada në puseta duke e shndërruar shkollën në një banjo publike.
Edhe zotimi se në mars do të nisë renovimi, tani lidhet me përfundimin e disa projekteve të reja, që komuna i ka për institucionet shkollore në kryeqytet.
“Tash jemi shumë afër të përfundimit të shkollave të reja dhe në momentin kur këto përfundojnë, kemi mundësi pastaj që të fillojmë edhe intervenimet edhe në shkollën sikur Ismail Qemali” , ka thënë Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës.
Një shqetësim serioz që lidhet me sigurinë dhe shëndetin e atyre që vijojnë mësimin në shkollën “Ismail Qemali”, nëpër kohë kanë ngritur edhe prindërit, madje edhe duke protestuar. Këshilli i Prindërve, nënvizon se deri më tani, pavarësisht premtimeve publike të komunës, në praktik nuk është ndërmarrë as edhe një hap i vetëm. Pritjeve për përmirësim të kushteve për nxënësit, ua ka vënë pikën kryetari Rama, i cili ka nënvizuar se nuk do të ketë renovim përgjatë këtij viti duke vazhduar me ndërhyrje dhe restaurime të pjesshme.
