Goditet rrjeti i drogës në klubet e natës në Tiranë, 9 të arrestuar

Policia e Shtetit në  Shqipëri ka finalizuar një operacion të gjerë antidrogë të koduar “Night Clubs”, pas disa muajsh hetimesh të zhvilluara me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hetimeve janë identifikuar 11 shtetas, punonjës ose administratorë të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike brenda ambienteve ku ushtronin aktivitetin.

Nga 11 masat e sigurisë të caktuara nga gjykata, janë ekzekutuar 9 masa “arrest në burg”, ndërsa vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë në kërkim. Po ashtu, gjatë periudhës hetimore janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Gjatë operacionit dhe hetimeve janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA), si dhe 11 telefona celularë që shërbenin si prova materiale.

Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të klubeve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën sasi të dyshuara të kokainës.

Ndërkohë, një 49-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga gjykata.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës , për veprime të mëtejshme.

Go to TOP