SPRTK: RTK në krizë financiare, kërkohet ndërhyrje urgjente institucionale

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen financiare në RTK, duke vlerësuar se institucioni ka arritur në një pikë kritike që rrezikon funksionimin normal të transmetuesit publik.

Sipas SPRTK-së, tërheqja e mbi 150 mijë eurove nga xhirollogaria e RTK-së në favor të BIRN-it, përmes procedurave përmbarimore, përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit financiar të institucionit. SPRTK thekson se këto obligime të trashëguara po e rëndojnë padrejtësisht buxhetin aktual dhe po e thellojnë krizën.

SPRTK ka theksuar se reduktimi i buxhetit nga rreth 12 milionë euro në vetëm 8.9 milionë euro e ka bërë praktikisht të pamundur mbulimin e shpenzimeve bazë dhe realizimin e misionit ligjor të transmetuesit publik. Sipas SPRTK-së, ky nivel financimi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për RTK-në, i cili obligon Kuvendin e Kosovës të garantojë financim të qëndrueshëm.

“Punëtorët e RTK-së nuk mund të mbeten më viktimë e kësaj qasjeje. Ata po përballen me pasiguri financiare dhe trajtim të pabarabartë, gjë që është e papranueshme për një institucion publik”, theksohet në reagim.

SPRTK ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional për stabilizimin financiar të RTK-së dhe trajtim të barabartë për punëtorët e saj, në përputhje me rolin dhe përgjegjësinë që mbajnë në shërbimin publik. /Kosova.info/

Go to TOP