LDK thirrje qytetarëve: Verifikoni njehsorët e rrymës, dyshime për mospërputhje të orës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të verifikojnë njehsorët e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, përmes një kontrolli të thjeshtë duke krahasuar orën e shfaqur në njehsor me orën reale në telefon.

Sipas kësaj partie, në rast se vërehen mospërputhje, qytetarët duhet të sigurojnë dëshmi përmes fotografive apo videove dhe t’i dërgojnë ato tek anëtari i LDK-së, Visar Azemi.

LDK ka paralajmëruar se të gjitha faktet e mbledhura do t’i dorëzohen institucioneve përkatëse, përfshirë KEDS dhe KESCO, ndërsa më pas rasti pritet të procedohet edhe në Prokurori.

Nga kjo parti theksojnë se çështja nuk mund të trajtohet si një gabim i thjeshtë teknik duke shtuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe drejtësi. Sipas tyre, çdo dyshim për abuzim duhet të hetohet dhe përgjegjësit duhet të japin llogari. /Kosova.info/


Go to TOP