Kurti pret organizatat ndërkombëtare të mediave, thekson rëndësinë e lirisë së shtypit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, ka pritur në takim përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe mediave.
Në këtë takim morën pjesë drejtues nga Reporters Without Borders (RSF), Association of European Journalists, European Federation of Journalists, European Broadcasting Union, European Centre for Press and Media Freedom, Index on Censorship, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa dhe International Press Institute.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti theksoi se liria e medias është një nga shtyllat themelore për Qeverinë e Kosovës. Ai u shpreh se vendi ka një mjedis mediatik të larmishëm dhe pluralist, ku liria e shprehjes jo vetëm mbrohet, por edhe ushtrohet në praktikë, përfshirë përmes kritikës ndaj institucioneve.
Megjithatë, Kurti ngriti si shqetësim mungesën e transparencës në pronësinë e mediave, si dhe ndikimin e interesave korporative në sektorin mediatik.
Pas diskutimeve me përfaqësuesit e organizatave, ai i falënderoi për vizitën dhe shkëmbimin e qëndrimeve duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e lirisë së medias në vend. /Kosova.info/
