Griezmann largohet nga Atletico, firmos me Orlando City në MLS

Sulmuesi francez Antoine Griezmann do të vazhdojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka firmosur kontratë me klubin Orlando City SC.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht të martën nga klubi amerikan.

Megjithatë, tridhjetë e tre vjeçari nuk do të largohet menjëherë nga Atletico Madrid, pasi do ta përfundojë sezonin aktual me ekipin spanjoll, para se të transferohet në MLS.

Griezmann ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Orlando City, me mundësi vazhdimi edhe për sezonin 2028/29.

Sipas njoftimit të klubit madrilen, lojtari ka udhëtuar drejt Floridës gjatë dy ditëve pushim për të finalizuar marrëveshjen me klubin e ri.

Pronari i Orlando City, Mark Wilf, e ka vlerësuar lart afrimin e francezit, duke e cilësuar si një nga lojtarët më të talentuar dhe me ndikim të gjeneratës së tij.

Ndërkohë, Griezmann ka ende objektiva me Atletico Madrid këtë sezon, ku synon të luftojë për trofetë si Copa del Rey dhe Champions League.

Sulmuesi francez i ishte bashkuar Atletico Madrid në vitin 2014 nga Real Sociedad dhe që atëherë është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 211 gola, duke kaluar legjendën Luis Aragones.  Gjithashtu ai renditet ndër lojtarët me më shumë paraqitje në historinë e klubit, me gjithsej 488 ndeshje.


Go to TOP