Familja Gashi apel: Mos shpërndani lajme të rrejshme pas tragjedisë në Majac
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi fshatin Majac në Podujevë, familja Gashi ka reaguar publikisht duke kërkuar nga qytetarët dhe mediat që të shmangin përhapjen e informacioneve të pavërteta.
Në reagimin e tyre, një anëtar i familjes theksoi se lajmet që po qarkullojnë nuk pasqyrojnë realitetin dhe se familja nuk ka pasur asnjë konflikt të mëhershëm.
“Ju lutemi të gjithëve që të mos shpërndani lajme të rrejshme. Ne si familje nuk kemi pasur kurrë konflikte, dhe shumë gjëra që po qarkullojnë nuk janë të vërteta,” u shpreh ai.
Sipas tij, ngjarja ka qenë një goditje e rëndë dhe e papritur për familjen, pa asnjë paralajmërim që do të çonte në një tragjedi të tillë.
“Kjo është një dhimbje shumë e madhe për ne. Ju kërkojmë mirëkuptim dhe respekt në këto momente të vështira, dhe të mos shtohen plagët tona me lajme të pavërteta,” thuhet më tej në reagim.
Familja Gashi ka bërë thirrje për respektim të dhimbjes dhe privatësisë së tyre, ndërsa rrethanat e plota të rastit pritet të sqarohen nga organet kompetente.
