DASH këshillon qytetarët amerikanë për kujdes të shtuar jashtë vendit

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në mbarë botën që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit jashtë vendit, me theks të veçantë për rajonet e Lindjes së Mesme.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, autoritetet amerikane rekomandojnë që qytetarët të ndjekin me kujdes udhëzimet dhe njoftimet e sigurisë të lëshuara nga ambasadat dhe konsullatat përkatëse.

Në deklaratë theksohet se “mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimeve”, ndërsa shtohet se objektet diplomatike amerikane, përfshirë edhe ato jashtë Lindjes së Mesme, mund të jenë shënjestër e mundshme e rreziqeve. Po ashtu, sipas DASH-it, grupe të lidhura me Iranin mund të synojnë interesa amerikane ose individë të lidhur me SHBA-në në vende të ndryshme të botës.

Departamenti amerikan u ka bërë thirrje qytetarëve të regjistrohen në platformën step.state.gov për të marrë njoftime të përditësuara mbi sigurinë dhe të ndjekin kanalet zyrtare të komunikimit, përfshirë “U.S. Department of State – Security Updates for U.S. Citizens” në WhatsApp dhe llogarinë @TravelGov në platformën X.

Gjithashtu, DASH rekomandon që para çdo udhëtimi të konsultohen me kujdes njoftimet zyrtare të udhëtimit në travel.state.gov, si dhe informacionet më të fundit për destinacionin përkatës.


Go to TOP